Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia zhvilloi një takim me fermerët e zonës së Nënshkodrës me të cilët diskutoi problematikat në lidhje me bujqësinë dhe blegtorinë, sektorë këta që sipas tij, kanë një zë të veçantë në programin elektoral për 4 vitet në vazhdim.
Gjatë takimit, Spahia tha se u diskutuan edhe zgjidhjet që propozon programi i tij për 14 majin.
Spahia renditi disa pika ku ai ka ndërtuar programin si: investime në rrjetin kullues e vaditës, ndërtim i pikave të grumbullimit, krijimi i tregjeve të reja, rritja e konkurrueshmërisë dhe promovimi i produkteve lokale, mbështetja e fermave për të rritur të ardhurat e tyre, konsolidimi i aftësive përpunuese të produkteve, asistenca në sigurimin e kontratave të reja për tregtimin e produktit do të jenë disa nga orientimet bazë ku do të punojmë për të krijuar mundësitë e zhvillimit të fermave.
“Bashkë me prof.Ass.Dr Gjok Vuksanin, drejtues i departamentit të Bujqësisë, Mjedisit dhe Pyjeve në PD ndamë me fermerët vizionin që ne kemi për zhvillimin e këtij sektori. Një pikë e fortë e punës në terren do të jetë ajo për shmangien e përmbytjeve, ku rol kryesor luajnë investimet qeveritare që fatkeqësisht në këto 10 vite kanë munguar. Me veçoritë që paraqesin njësitë administrative të Shkodrës mbështetja e zhvillimit të agroturizmave, bujtinave të vogla pritëse, do të jetë një pikë e fortë e mandatit tonë”, u shpreh Spahia.