Ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e mbajtur nga ballkoni i banesës, ku qëndron në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, ka sulmuar SPAK dhe kreun e tij, Altin Dumani, lidhur me thirrjen e vonuar për të dhënë dëshmi të engjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, lidhur me aferën e inceneratorëve.
Berisha, duke iu drejtuar mbështetësve të tij, që prej muajsh protestojnë në rrugicën pranë banesës së ish-Kryeministrit, tha se në të katër anët e vendit bien sirenat e krimit, sirenat e hajnisë, sirenat e varfërisë dhe mjerimit të shqiptarëve.
Berisha u shpreh se Engjëll Agaçi, i cili mblodhi 17 firma në 24 orë për djegësin, është thirrur në SPAK pas 4 vitesh, çka sipas ish-Kryeministrit është e papranueshme dhe tregon kapjen e SPAK-ut.
“Sot, njëri nga eksponentët më mafiozë, më të zi të pushtetit, Don Agaçio Dhuratmadhi, pas protestave tuaja të fuqishme, u thirr në Skrapin e partisë.
T’i drejtojmë një pyetje Altin Zamanit: po nuk ke turp mo që e thërret pas katër vitesh njeriun që ka mbledhur për djegësin 17 firma në 24 orë?
Njeriun, mafiozin që si kurrë në historinë e këtij shteti, ka nxjerrë 9 vendime në 8 orë, për vendimin e djegësit.
I ka publikuar të nesërmen në Fletoren Zyrtare sikur të ishte emergjenca e të gjitha emergjencave.
Ky është një mafioz i zi, i cili ka firmën e tij mbi prokurimin e ndaluar me ligj, prokurimin me negociata të mbyllura.
Është mafiozi Agaçio që pasi me shkrim i thuhet nga drejtori i prokurimeve se prokurimet me negociata të mbyllura janë të ndaluara, janë jolegjitime, firmos për prokurimin me negociata të mbyllura pa asnjë rival, por vetëm me kompaninë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Zamani, ky produkt krimi, në vend që ta mbante aty, ta çonte te 313-a, i thotë se të thirra si person që ke dijeni, një krimineli i cili me porosi të bosit të tij mafioz, Edi Ramës, firmosi për t’i dhënë 8 pikë, një kompanie që nuk kishte pronar, nuk kishte menaxher, nuk kishte seli, që nuk ishte e regjistruar kund mbi dhe, por që mbi të gjitha mafiozin Agaçio e kishte njoftuar me shkrim një ministre. Pra, kalojnë 4 vjet dhe vetëm pas katër vitesh, Dumani i krimit e thërret ‘na fal se të ftuam si person në hetim’. Një mafioz i bërë i famshëm tani në analet e mafies italiane”, tha Berisha./BalkanWeb