Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se e përkrah vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim. Qeveria ka argumentuar se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës së Kosovës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjitha vendbanimet e Kosovës. Sipas tyre, çdo pengesë në lirinë e lëvizjes shkel këtë të drejtë themelore, prandaj vendimi për heqjen e pengesave të tilla është i drejtë dhe i nevojshëm.

 

"Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur." – thuhet në përgjigjen e Qeverisë për televizionin publik.

 

 

Me vendimin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim s’u pajtua emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai e cilësoi momentin si "jo të duhur", duke thënë se duhet të përballemi me këtë në baza ditore derisa të flasim, dhe se atmosfera në Mitrovicë nuk është e duhur për këtë hapje.

 

“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platform e drejtë, ky plan, është një plan “ëin-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet.” – tha ai.

 

Kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut u deklarua edhe misioni i KFOR-it në Kosovë. Në një përgjigje për Nacionalen nga KFOR-i deklaruan se “Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.”

 

Në përgjigje thuhej më tej se misioni i KFOR-it vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

 

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara”.

 

Çka ndodhi të premten?

 

Kuvendi komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut u mblodhën në objektin e Asamblesë, për të votuar për një pikë të rendit të ditës: hapja për qarkullim të Urës së Ibrit. E gjitha nisi pas një iniciative të asamblistes së VV-së, Aida Doli. Siç raportoi gazeta Veriu.info, me 11 pro dhe një kundër, asamblistët e këtij kuvendi komunal e kanë votuar hapjen e Urës së Ibrit.

 

Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe e ka kritikuar ashpër këtë vendim të Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, duke e quajtur si vendim të kundërligjshëm.

 

“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës.” – thuhej në reagimin e Listës Serbe./Nacionale