Në Gjykatën e Posaçme të Hagës, vijon gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi ku sot fjalën e ka pala mbrojtëse.

 

Avokati Gregori Kehoe mbështeti pretendimet se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalonte apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës dhe se kontrollin e kishin komandantët lokalë. Sipas tij, Thaçi nuk ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

 

 

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur se mes kushteve që SHBA-ja kishte vendosur për funksionimin e UÇK-së, ishte shmangia e sulmeve ndaj civilëve.

 

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja. Avokati mbrojtës kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar të hënën duke thënë se atyre i mungonte konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

 

 

Gjatë seancës së djeshme, 4 ish-krerët e UÇK u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokurorët e specializuar prezantuan rastin duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që thuhej se kishte në shënjestër kundërshtarët, përfshirë këtu ata që i konsideronte “tradhtarë”, “kolaboracionistë” mbështetës dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.