Duke nisur nga dita e sotme mbyllen 9 gjykata dhe prokurori të shkallës së parë në rrethe. Kjo vjen si rrjedhojë e zbatimit të fazës së dytë të të hartës së re gjyqësore.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës , Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.

Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë së bashku me to shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore, që ka sjellë dërgimin e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë.

Konkretisht Gjykata dhe Prokuroria e Tropojës zhvendoset në Kukës, e Matit në Dibër, e Kurbinit në Lezhë, e Pukës në Shkodër, e Krujës në Tiranë, Kavaja i bashkangjitet Gjykatës së Durrësit.

Gjykimet dhe hetimet e çështjeve të Lushnjës kalojnë në Fier, të Përmetit transferohen në Gjirokastër dhe dosjet gjyqësore dhe hetimore penale dhe civile nga Pogradeci në Korçë.

Faza e tretë hyn në fuqi në 1 Korrik të këtij viti dhe parashikohet reduktimi i të gjitha gjykatave administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.