Në Elbasan po vijon me ritme të shpejta rikonstruksioni i terreneve sportive në ambientet e shkollave, një projekt i ndërmarrë nga bashkia.

 

Investimet të cilat nuk janë ndalur në ambientet e shkollave të mesme por edhe ato 9-vjeçare, thuajse janë drejt përfundimit në një pjesë të madhe të tyre.

 

Aktualisht terrenet e reja sportive të shkollës simbol të Elbasanit “ Luigj Gurakuqi” po ecin me ritme të mira.

 

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja u shpreh se “brenda pak ditëve 100 nxënësve si edhe banorëve të Njësisë nr.1 do t’i shtohen këto ambiente të reja sportive të cilat pasditeve do të jenë në funksion të ekipeve sportive si edhe komunitetit”.

 

Ai shtoi se “në sinkron me shkollën ‘Luigj Gurakuqi’ punimet po vijojnë edhe në gjimnazin  ‘Kostandin Kristoforidhi’, si edhe në shkollën e muzikës ‘Onufri’, investime gjigante në palestrat e këtyre shkollave”.

 

Gjatë vitit që lamë pas, bashkia e Elbasanit i dha një prioritet të veçantë edhe rikonstruksionit të shumë shkollave, ku vlen të përmenden shkollat ‘Jeronim De Rada’, ‘Bardhyl Popa’, si edhe dy shkollat industriale në qytet.

 

“Ne i dimë problemet e mbartura në infrastrukturat shkollore dhe ne do t’i rregullojmë të gjitha. Arrijmë që 13 shkolla në vit t’i ristrukturojmë të pjesshme dhe dy t’i bëjmë të reja, me rikonstruksion total. Vjet bëmë dy shkollat industriale, u bë shkolla ‘Bardhyl Popa’,  ‘Jeronim De Rada’, po bëhet ‘Kostandin Kristoforidhi’, ‘Onufri, rregulluam pjesërisht shkollat me probleme, por do të vazhdojmë punën tonë. Do të vazhdojmë me një sërë investimesh në qytet, në infrastrukturë, në fshat, në qéndra shëndetësore, në shkolla, kemi projekte konkrete që duam t’i vazhdojmë”, përfundoi Llatja./ATSH