Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Cërriku, Elbasan, se opozita i do bashkitë për t’i kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë.

 

“Nuk dua të flas për kundërshtarë, por të gjithë kanë një karakteristikë, vijnë nga e shkuara, s’kanë bërë asgjë, madje kanë bërë më shumë dëm sesa punë dhe mbi të gjitha vijnë jo për të bërë më shumë punë, por për të marrë peng bashkitë ku të munden dhe për t’i kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë, për t’i mbyllur rrugën bashkëpunimit,  zhvillimit, punëve për ju dhe për të filluar avazin nga e para, dhe për t’i harxhuar lekët e taksave për të financuar autobusë që nisen në Tiranë për të thënë Rama ik”, theksoi Rama në takimin me banorë të Cërrikut.

 

Kryeministri Rama u shpreh se “kanë 10 vite që e thonë, unë skam ndërmend të iki se thonë ata Rama ik, do vijë edhe dita ime për t’u larguar, por ajo ditë do vijë kur ne të vendosim bashkërisht, po ata nuk vendosin dot atë ditë”.

 

Më tej Rama tha se “ka një kandidat në qarkun tuaj që e kam shumë për zemër, më kujton edhe Lulin, që më ka marrë shumë malli, por ai është një nivel më i lartë, Luluçi Boçi i Elbasanit, kandidati i këtij bashkimi në dëshpërim, për interesa personale, që i ka të shkruara në ballë të gjitha hallet e plagët e Shqipërisë”.

 

“Bashkimi i non gratës se çfarë rëndësie ka aleanca me SHBA, partneriteti me të fuqishmin e kësaj bote, se çfarë rëndësie ka gjithë ajo punë që kemi bërë që Shqipëria sot është më e respektuar se kurrë ndonjëherë tjetër në sytë e botës, që këtë të mos e llogarisin, por në emër të gjyshit që ka qenë nuk e di se çfarë dhe familja që vjen nga e djathta të shkojë e t’ia japë votën një non grate të bashkuar me Like floririn”, tha Rama.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se ”ta çosh votën për të ardhmen e vendlindjes së qytetit, votën për pastrim gjelbërimin, ndriçimin, për shkollat, kopshte e çerdhet për ekonominë tek Luluçët dhe non grata-t duke thënë se jam i djathtë duke votuar Like floririn këtë mua nuk ma shpjegon dot njeri”.