Në Korçë u zhvillua sot finalja e konkursit ndërkombëtar për projektin e stadiumit “Skënderbeu”, një qendër e re e Korçës, ku prezantohen 3 finalistë me prestigj në skenën bashkëkohore të arkitekturës, ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama nënvizoi se “ambicia jonë është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve tona të mund të bëhen edhe motorë socialë dhe ekonomikë zhvillimi”.
Rama tha se për këtë konkurs pati një interesim shumë të madh, ndërsa shtoi se “kjo është një nga tre finalet e këtyre ditëve, që do të ndiqte nga finalja e konkurseve në Durrës e Vlorë”.
Rama siguroi se do të jenë 3 stadiume të reja të gjeneratës së stadiumit kombëtar, i cili është një histori shembullore suksesi por edhe një histori kuptimplotë eksperience në bashkëpunimin mes qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kryeministri vlerësoi po ashtu se pa FSHF do të ishte e pamundur të realizohej stadiumi dhe të ecnim para me këto zhvillime të reja.
“Sinergjia mes qeverisë dhe FSHF-së është baza, themeli, shtysa kryesor për të arritur të kemi një Shqipëri me një fytyrë krejt tjetër edhe në këtë fushë ku kemi sot me këto 3 stadiume të reja infrastrukturën më moderne dhe të kompletuar nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike brenda vendit, në në rajon. Kjo duke pasur parasysh nga sa mbrapa e kemi filluar kur rajoni ka qenë një nivel komplet tjetër”, tha Rama.
Duke u ndalur te integrimi në sistemet sportive europiane dhe botërore, Rama uroi Presidentin e FSHF-së, Armando Duka për zgjedhjen në Komitetin Drejtues të UEFA-s. “Është një nder shumë i madh për Shqipërinë, futbollin shqiptar, pasi është hera e parë në historinë e UEFA-s që një shqiptar drejtues i Federatës përfshihet në Komitetin e UEFA-s”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “e forcon edhe pozitën tonë në përpjekjen për të realizuar objektivin ambicioz që në vitin 2025 të organizojmë në Shqipëri kampionatin Europian të Futbollit për të rinjtë”.
“Kjo do të thotë se në vitin 2025 do të jemi gati me këto stadiume të reja që i shtohet stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë i cili do të ribëhet tërësisht po me këto principe dhe do të vazhdojmë edhe më tutje”, shtoi Rama./ATSH