Depozitat në euro kanë vijuar rritjen edhe në muajin mars.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se në fund të tremujorit 2023 totali i depozitave bankare në monedhën europiane arriti në 6.42 miliardë euro.
Depozitat në monedhën europiane janë shtuar më tej me 27 milionë euro krahasuar me shkurtin. Ndërsa me bazë vjetore, rritja e depozitave në euro është përshpejtuar më tej në 16.8%, nga 16.5% që rezultonte në fund të muajit shkurt.
Në periudhën pas pandemisë, depozitat në euro në sektorin bankar janë rritur me rreth 45%. Pothuajse tre të katërtat e depozitave në euro i takojnë individëve.
BSH-ja vëren se, rritja në segmentin e depozitave me afat në euro, është e lidhur me rritjen e normave të interesit.
Sipas BSH-së, zgjerimi i depozitave në euro favorizon si pasojë edhe një rritje të kreditimit të ekonomisë në euro, tendencë që është bërë edhe më dominuese në tremujorin e parë të këtij viti.