Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ecurinë e punimeve në aksin Elbasan – Qafë Thanë.

 

Balluku deklaroi se brenda kësaj vere do të jetë e përfunduar e gjithë traseja e rrugës në këtë lot, ndërsa në shtator nis asfaltimi.

 

Sipas Ballukut, përfshirje e këtij aksi rrugor, pjesë e Korridorin 8 në korridorin Pan-Evropian, krijon edhe mundësinë e financimit të hekurudhës nga fondet e BE-së.

 

“Kemi marrë miratimin nga BE për përfshirjen e këtij segmenti, pjesë të Korridorit 8, në korridorin Pan-Evropian. Pritet vetëm miratimi zyrtar. Përfshirja e këtij korridori në korridorin Ten-T e bën Korridorin 8-të pjesë të të gjitha korridoreve evropiane dhe duke na dhënë mundësi që financimi në të ardhmen për hekurudhën të jetë nga BE dhe fonde të bankave që funksionojnë me fondet e BE-së”, deklaroi Balluku.

 

Zv/kryeministrja shtoi se ky korridor do t’i shërbejë edhe Portit të Thatë të Strugës.

 

“Ky korridor ka dhe një vlerë shumë të madhe për sa i përket portit të ri të Durrësit, pasi parashikon lidhjen direkt me portin e ri të Durrësit si përmes autostradave, ashtu dhe përmes hekurudhës dhe duke furnizuar kështu portin e thatë të Strugës, që do të jetë pjesë e portit të ri të Durrësit. Siç kemi edhe portin e thatë të Prishtinës, i cili sigurisht do aksesohet nga Rruga e Kombit”, tha Balluku.

 

Balluku informoi se brenda muajit qershor do të jetë përfunduar edhe procedura për lotin e dytë, i cili është një lot gjithashtu i rëndësishëm dhe nis në Mirakë dhe përfundon tek kthesat e Murrasit, tek ura e Murrasit.

 

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi theksoi se dalja e këtij segmenti rrugor në zonën e Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë pika kufitare e Qafë-Thanës, por do të jetë një pikë tjetër më e afërt, e cila do të lidhet me anë të një tuneli 4-5 km. Sipas tij, ky ndryshim do të shkurtojmë me 20 km distancën për të shkuar në Strugë.

 

Ky aks do të shkurtojë rrënjësisht distancat dhe do të kthehet në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8-të, tanimë i përfshirë në rrjetin europian.

 

Rruga Elbasan-Qafë Thanë është e kategorisë B, me 2 korsi nga secili krah, me ndarëse korsie dhe të gjithë parametrat rrugore.

 

Punimet nuk përfshijnë vetëm zgjerimin e rrugës ekzistuese, por edhe daljen në një aks të ri të rrugës për shkak të rritjes së fluksit, ndërsa parashikohet edhe përmirësimi i parametrave të rrugës dhe i shpejtësisë së lëvizjes.