Izolimi dhe vetmia janë një epidemi që është po aq e dëmshme dhe e rrezikshme për shëndetin individual dhe publik amerikan, aq sa duhani dhe obeziteti, deklaroi kryekirurgu i SHBA, Vivek H. Murthy.

 

Pothuajse gjysma e të rriturve amerikanë kanë raportuar se kanë përjetuar vetminë vitet e fundit, sipas një studimi të vitit 2021 nga kompania e kujdesit shëndetësor ”Cigna”.

 

Studimi tregoi se 79 për qind e njerëzve të moshës 18 deri në 24 vjeç raportuan se ndjehen të vetmuar, gati dyfishi i normës për ata 66 vjeç e lart.

 

Ndërsa problemi është përkeqësuar nga pandemia Covid-19, ai ka qenë prej kohësh në rritje.

 

”Shkalla e vetmisë midis të rinjve u rrit çdo vit nga 1976 në 2019”, deklaroi Murthy.

 

”Të qenit i shkëputur nga shoqëria mund të ketë pasoja mendore dhe fizike. I vendos njerëzit në rrezik më të madh për ankth dhe depresion, dhe gjithashtu rrit mundësinë e demencës me 50%, goditjes në tru me 32% dhe sëmundjeve të zemrës me 29%”, sipas raportit.

 

Sipas raportit, rreziku i vdekjes së parakohshme nga rritja e izolimit është i krahasueshëm me pirjen e 15 cigareve në ditë dhe mund të jetë edhe më i madh se ai i lidhur me obezitetin dhe pasivitetin fizik.