Kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj gjatë një takimi me qytetarët matjanë tha se, së bashku me ta ka krijuar në këtë bashki një model pune dhe zhvillimi.
Gjatë takimit elektoral ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ai tha se, “në këto 4 vite kryeministri ka qenë mbështetja kryesore e gjithë punëve të mëdha që ne kemi bërë në bashkinë e Matit”.
“E mbani mend para 4 viteve si e gjetëm ne Matin, në çfarë gjendje kishte përfunduar bashkia, administrata, investimet, rrugët, kopshtet, shkollat e çerdhet. Në sajë të punëve tona dhe mbështetjes së qeverisë sot kemi arritur të bëjmë një ndryshim rrënjësor në bashkinë e Matit. Po bëhen punë, vepra 50-vjeçare dhe sot ne nuk themi më uji i pijshëm, sot nuk themi më rrugët por ne të gjithë së bashku ia arritëm të krijojmë një model. Ky model është modeli i punës, i zhvillimit sepse vetëm ky model do ta çojë bashkinë e Matit dhe Shqipërinë përpara”, tha Malaj.
Ai tha se, “ju premtoj që puna ime në këto 4 vitet e ardhshme do të jetë akoma më e madhe”.
“Për ata që kemi përballë unë s’dua të flas se gjithsecili nga ju në këto 33 vite demokraci ka qenë dëshmitarë kush janë, nga vijnë, ku kanë përfunduar dhe fatkeqësisht mosriciklimi i partisë së tyre dhe ajo metodë që kanë nga viti 1991 deri më sot i ka çuar në këtë gjendje që janë sot”, tha Malaj.