BE e ka cilësuar vendimin e qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit si shkelje të frymës së marrëveshjeve të dialogut.

 

 

Bashkimi Evropian nuk e ka parë me sy pozitiv vendimin e qeverisë së Kosovës, e cila e shkarkoi nga detyra Ekipin Menaxhues që prezantoi në Bruksel draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas Bashkimit Evropian, roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet. Prandaj, sipas Bashkimit Evropian, “vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me marrëveshjen”.

 

Stano: Palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues

 

 

Kjo u tha gjatë një deklarate në një konferencë për media në Bruksel nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano. “Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi Stano. Sipas tij, “palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova”, tha zëdhënësi Stano duke shtuar se “marrëveshjet e dialogut qartë thonë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit”. “Ekipi Menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin e parë, që do të thotë se nisën procesin, e jo që procesi mori fund. Prandaj, vendimi për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues, shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, theksoi Peter Stano.

 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano përsëriti qëndrimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell se “arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi është e domosdoshme dhe palët të ecin përpara në procesin e integrimit evropian”, dhe se, “në rast të dështimit, do të ketë pasoja për të dyja vendet, përfshirë edhe ato financiare”.

 

Vetëm një ditë pasi e prezantoi draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, më 2 maj në Bruksel, qeveria e Kosovës e shkarkoi nga detyra Ekipin menaxhues që ishte themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016. Ekipi menaxhues përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiç, Jellena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq, në atë kohë përfaqësuese e listës Srpska, tash deputete në Kuvendin e Serbisë, nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiç. Për Kordinatoren e Ekipit Menaxhues, Danijella Vujiçiç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se “ajo është në konflikt interesi, sepse, ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë”.

 

I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim “të njëanshëm” dhe “të kundërligjshëm”. “Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij“, tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç.

 

Sipas draft-statutit të prezantuar nga Ekipi Menaxhes të cilin e shkarkoi Kurti, Asociacioni do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave”. Këtë draft, menjëherë e hodhi poshtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi siç tha “nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”.

 

Rritet presioni ndaj Prishtinës për Asociacionin

 

Ndërkohë nuk ka të ndalur presioni ndërkombëtar mbi Prishtinën zyrtare qe ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha pas takimit të Brukselit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit se “zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Escobar duke shtuar se “Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, veçanërisht Kosova, duhet ta marrë seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”. Sipas tij, “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin”.

 

Kritika edhe nga Gjermania

 

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit, duke thënë se vendimi nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit. Megjithatë sipas tij, çfarëdo lloj statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit, megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështesë implementimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Koso