Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se SHBA-ja ka dislokuar sistemin e mbrojtjes kundër raketave balistike “THAAD” në Izrael në mes të tensioneve me Iranin.
Radioja e Ushtrisë Izraelite e përshkroi hapin si pjesë e përgatitjeve për një përgjigje të pritshme izraelite ndaj sulmit të fundit raketor të Iranit.
Ndërsa përshkruhet si dislokimi “i parë” i tillë, SHBA-ja njoftoi një vendosje të përkohshme të sistemit të mbrojtjes raketore në mars 2019 si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta të mbrojtjes.
Mbetet e paqartë nëse dislokimi aktual është i përhershëm.
Kanali 12 izraelit raportoi se ushtarët amerikanë do të “menaxhojnë për herë të parë” bateritë e sistemit në Izrael.
THAAD, i zhvilluar nga “Lockheed Martin”, është një armë mbrojtëse e destinuar për të kapur raketat balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme në lartësi të madhe.
Prodhuesi pohon se THAAD është i vetmi sistem amerikan i krijuar për të kapur objektivat brenda dhe jashtë atmosferës.
Përpara THAAD, mbrojtja ajrore izraelite mbështetej në tri sisteme: “Shigjeta” për rreze të gjatë, “Hobeja e Davidit” për rreze të mesme dhe “Kupola e hekurt” për rreze të shkurtër – të gjitha këto nuk arritën të interceptonin shumë raketa iraniane gjatë sulmit të fundit.
Irani kreu një sulm më 1 tetor duke përfshirë rreth 180 raketa në kundërpërgjigje për vrasjen e ish-shefit të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, së bashku me objektiva të tjerë, duke përfshirë Hasan Nasrallahun të Hezbollahut dhe një udhëheqës në Gardën Revolucionare, Abbas Nilforushan.
Ushtria izraelite më vonë pranoi se sulmi shkaktoi dëme në disa baza ajrore, duke pohuar se përgatitjet për hakmarrje kundër Teheranit ishin në vazhdim.
Irani ka mbrojtur veprimet e tij, duke cituar nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili afirmon të drejtën e shteteve anëtare për të përdorur forcën në vetëmbrojtje kundër sulmeve të armatosura./aa