Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në pikën e tyre më të mirë të viteve të fundit.
Dy vendet përkrahë njëra-tjetrës, po kapërcejnë të kaluarën dhe po forcojnë edhe më tepër lidhjet miqësore mes tyre.
Këtë deklaroi ministri i jashtëm grek Nikos Dendias gjatë një vizite në ambasadën shqiptare në Athinë, e para e këtij lloji në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Dendias shprehu entuziazmin e tij lidhur me nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rezultateve pozitive që ka sjellë dialogu mes Athinës dhe Tiranës, jo vetëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, por edhe mesazhet që ky bashkëpunim ka sjellë në politikat rajonale dhe ato europiane.
Dendias tha se së bashku me kryeministrin Edi Rama, po punojnë fuqishëm për axhendën dypalëshe, por edhe për avancimin në rrugën europiane të Shqipërisë.
Ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, e vlerësoi figurën e ministrit të Jashtëm grek si një ndër strategët e afrimit mes dy vendeve.
Ajo e quajti ministrin e Jashtëm grek mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili punoi dhe punon fuqishëm për miqësinë mes dy vendeve tona.
Në vazhdim ministri i jashtëm grek, pati një drekë me gratë ambasadore të akredituara në Athinë.