Kryebashkiaku i Matit dhe njëherësh kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie, Agron Malaj reagoi sot në rrjetet sociale, pas akteve të dhunshme që u kryen mbrëmjen e djeshme ndaj dy zyrtarëve shtetërorë në sheshin “Ahmet Zogu” në Mat.

 

Malaj u shpreh se, gjatë gjithë fushatës elektorale është përpjekur të shpjegojë dhe rikujtojë se, këta që janë përballë janë një bandë që nuk rrinë dot kurrë pa bërë çorbë dhe maskarada.

 

“Ky këtu është Sokol Hajredin Rami me bandën e tij, djali i tij Erik Sokol Rami, Klajdi Jakup Metra dhe Aldo Xhezmi Dika që godasin dy zyrtarë shtetëror gjatë koncertit të mbrëmshëm në sheshin “Ahmet Zogu”, përpara zyrave të koalicionit “Bashkë Fitojmë”’, u shpreh ai, ndërsa ndau një video nga aktet e dhunshme.

 

Sipas Malaj, “ky eksponent i Partisë Demokratike pa vulë që shoqëron kandidatin Skënder Gjuci, qysh kur ishte kryetar komune, por edhe sot, mendon të shantazhojë popullin e Matit me veprime të tilla”.

 

“Këto banda janë llum i neveritshëm, që mendojnë se me të tilla veprime do shantazhojnë popullin e Matit. Turp, turp, turp për llumin”, tha Malaj.