Trupat ushtrake rumune do të kenë fleksibilitet në lëvizshmëri përgjatë korridorit VIII rrugor dhe hekurudhor. Pas nënshkrimit të Letrës së Qëllimit për Sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake nga Shqipëria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në korrik të këtij viti, në ministerialin e fundit të NATO-s dokumentit i është bashkuar edhe Rumania.

Lajmi është bërë me dije nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu i cili shtoi se Korridori VIII, si një nyje e rëndësishme lidhëse në rajonin e Ballkanit, ishte në qendër të diskutimeve në Ministerialin e NATO-s, të zhvilluar në datat 17-18 tetor, në Bruksel.

Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euroatlantike.

Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Evropian. Në thelb ky dokument i firmosur u jep mundësi trupave ushtarake të NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.

Korridorit 8 do të lidhë portet e Italisë, me portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km, teksa aktualisht në vendin tonë janë rreth 350 mln euro fondeve publike në dispozicion të ndërtimit të korridorit 8, në 14 segmente të ndryshme./Scan