Nga e hëna, pak ditë pas tragjedisë në shkollën fillore të Beogradit “Vlladislav Ribnikar”, në të gjitha shkollat e Serbisë deri në përfundimin e mësimit do të jetë e pranishme policia, e cila do të veprojë si masë parandaluese.
"Përveç policëve shkollorë, u angazhuan edhe oficerë policie të juridiksionit të përgjithshëm, administrata e policisë rrugore dhe policia kriminale. Theks i veçantë iu kushtua ardhjes dhe largimit të nxënësve dhe gjatë pushimeve," tha për Tanjug Indira Hamzabegoviq, një oficere e policisë shkollore në Departamentin e Policisë të Stari Gradit.
Ajo theksoi se të gjitha shkollat në Beograd mbulohen nga dy policë në të dyja turnet.
“Roli i oficerit të policisë së shkollës është të përmirësojë sigurinë e shkollave dhe nxënësve, të parandalojë, të pamundësojë dhe të hetojë krimet dhe kundërvajtjet në zonën e shkollës”, tha Hamzabegoviq.
Sipas saj, do të ketë bashkëpunim maksimal të punonjësve të policisë me drejtorët, pedagogët, stafin e shkollave dhe nxënësit.
“Sa i përket zbulimit të armëve dhe substancave psikoaktive, roli i punonjësve të policisë është masa parandaluese dhe në rast se ndonjëri nga nxënësit konstatohet se ka armë, mjete dhe substanca psikoaktive, kjo do të kërkojë ekzaminimin e nxënësit. Janë punësuar edhe punëtorë të sigurimit fizik dhe teknik, me të cilët bashkëpunojmë”, tha Hamzabegoviq.
Ajo tha se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me edukimin dhe ligjëratat me temën për sigurinë, përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale, mbrojtjen e fëmijëve nga droga dhe alkooli, si dhe dhuna si dukuri negative sociale.
“Në Beograd janë 331 institucione shkollore dhe deri më 8 maj të këtij viti shkollat i kanë mbuluar 146 policë shkollorë, ndërsa nga sot çdo shkollë do të mbulohet nga dy policë”, tha Hamzabegoviq.