Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Forumi Ekonomik i Vjenës zhvillon sot për herë të parë në Prishtinë, konferencën Vienna Economic Talks – Prishtina 2023.

 

 

Kurti, si folësi kryesor i këtij takimi, iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe i njoftoi ata për arritjet në dy vitet që po lëmë pas dhe për synimet e përbashkëta për të ardhmen.

 

Përgjatë tri sesioneve, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal në fushën e investimeve përmes inovacionit teknologjik.

 

 

Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti, në emër të Republikë së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, pranoi çmimin nga Forumi Ekonomik i Vjenës për bashkëpunim dhe kontribut të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik të nivelit nacional dhe rajonal, çmim ky që u dorëzua nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Ambassador Victor Jackovich.

 

Në fjalën e tij falënderuese, kryeministri Kurti bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim, ashtu që slogani i Forumit Ekonomik të Vjenës “Shkoni në jug lindje”/ “Go South East”, të bëhet sinonim me ‘nearshoring’ perëndimor, raporton KosovaPress.