Ish kryeministri, Sali Berisha i është drejtuar me një kërkesë këtë të hënë kreut të qeverisë, Edi Ramës.
Ai ka kërkuar në kohë fushate të mblidhet parlamenti, për të votuar ligjin e rritjes së pagave të propozuar nga qeveria. Berisha thotë se kjo kërkesë nuk ka të bëjë me një bashkëpunim të tij me qeverinë por me mbështetjen e qytetareve.
“Ftoni parlamentin të enjten që të votojmë rritjen e rrogave të pensioneve. Të tallesh me qytetarët duke i mbushur me premtime boshe dhe kur e bën këtë në fushatë elektoralë dhe është krim. I them Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja me qytetarët dhe hajde votojmë ligjin e rritjes së rrogave. Përgjigju kërkesës sonë edhe pse nuk kemi një bashkëpunim me ty si qëllim por mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Ka si qëllim një rrogë që u duhet shqiptarëve. E enjtja është provë për premtimin dhe unë u siguroj se do të votojmë ligjin e rritjes së pagave.”- tha Berisha.
Kjo kërkesë vjen pak ditë pasi kryeministri Rama tha në një miting se procesi i rritjes së pagave po vonohet për shkak të mos vullnetit nga ana e deputetëve. Këta të fundit kërkojnë që të jenë të përfshirë në skemën e rritjes së pagave propozuar nga qeveria Rama.