Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi një takim me banorët e Njësisë 8, pranë Restorant Durrësit, ku bisedoi me ta rreth 5 prioriteteve që do të sjellin ulje të kostos së jetesës dhe lehtësime për qytetarët.

 

Nga kjo zonë, Këlliçi prezantoi për herë të parë një tjetër pikë të programit të tij, atë për rikualifikimin urban të pallateve të vjetra ekzistuese.

 

Ai tha se, do të ketë ndërhyrje në suvatime, sisteme termoizoluese dhe ndërtimin e ashensorëve të jashtëm, për të ndihmuar banorët, që në shumicë janë të moshuarit që kanë ngelur, pasi pjesëtarët e tjerë të familjeve janë larguar.

 

“Kemi menduar të bëjmë tre ndërhyrje nëpër pallate, duke nisur nga zona juaj. Pikësëpari duke ndërhyrë në gjithë suvatimin e pallateve duke pasur një uniformitet, duke ndërhyrë në opsionin për të pasur një termoizolim të pallateve për të kursyer energji. Po mbi të gjitha për të pasur mundësinë për bashkëfinancimin bashkë me banorët. A mendoni se është më mirë që bashkia e Tiranës, pas 14 majit, të vijojë të japë me qindra mijëra euro dhe me miliona euro çdo vit për koncerte, për paga, për qoka, për qejfe, për luks, për dieta, për karburant, apo të fillojë, pak nga pak, hap pas hapi, pallat pas pallati financimin për ndërtimin e ashensorëve të jashëm në pallatet e vjetra në mënyrë që t`i lehtësojë jetën gjithë komunitetit”, tha Belind Këlliçi.

 

Sipas tij, ky program ka si synim që të ofrojë lehtësira jetese për komunitetin duke prekur kryesisht të moshuarit.

 

“Pikërisht në këtë njësi duam të implementojmë këtë lloj projekti, në mënyrë që edhe atyre të moshuarve, të cilët kanë dy muaj apo një muaj që nuk dalin nga shtëpia, për shkak se e kanë të pamundur, për shkak se jetojnë në kat të pestë, e kanë shumë vështirë të hipin dhe zbresin shkallët çdo ditë, ne t’ua lehtësojmë jetën. T’u japim një jetë komunitare në mënyrë që ata të dalin, të kenë akses, të shijojnë jetën e tyre dhe të mos jenë të mbyllur brenda katër mureve dhe të mos kenë kujdes nga të afërm, nga miq apo dhe nga komshinj”, u shpreh Këlliçi.

 

Më tej, ai u shpreh se, autobusi falas do të jetë një nga angazhimet e para që do të bëhet realitet pas 14 majit.

 

“Kam premtuar autobusin pa pagesë pas 14 majit. E kam premtuar dhe do ta bëjë realitet. Pse? Më kushton pothuaj sa para çon sot Erion Veliaj te inceneratori që nuk ekziston. Kur ky inceneratori që paguajmë ne 14 milionë euro çdo vit e bëka punën, pse nuk na lejonin të bëjmë transparencë dhe të vijnë këta pronarët, të krenohen me punën që kanë bërë? Pse janë në kërkim ndërkombëtar këta? Fare e thjeshtë është pyetja. Pse janë në kërkim ndërkombëtar? Është fare e thjeshtë kur ka 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, nga dheu do t`i nxjerri 16.5 milionë euro për t`i shërbyer 200 mijë qytetarëve në ditë”, tha Këlliçi.

 

Ai u shpreh para banorëve se, projekti i tij për nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, do të jetë gjithashtu një tjetër angazhim që do të ketë disa përfitime për komunitetin, duke përfshirë uljen e trafikut dhe të ndotjes në Tiranë.

 

“A e dini çfarë ndodh, pse u është prishur terezia këtyre? Sepse me nënkalimin te “Sheshi Skënderbej” shfryhet 60% e trafikut në qendër të Tiranës, që është një gangrenë. Ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ajrit, që ka dalë një studim para dy ditësh, që e keni parë se çfarë përbërës kancerogjen kemi sot në Tiranë në ajrin që thithim e sa të ekspozuar jemi ndaj sëmundjeve kancerogjene. Eshtë një problem shumë madhor që nuk flet ndonjëherë bashkia e Tiranës. I ka prishur dhe matësit e ajrit, që i propozoi ky. Dhe është një masë që kursen, mesatarisht 5000 km trafik në ditë në Tiranë, vetëm ky nënkalimin, dhe 90 mijë litra karburant në vit”, tha Këlliçi.

 

Ai tha se, vota në 14 maj është për të mbrojtur shtëpitë.

 

“Po dhe ata që janë banorë autoktonë, dhe ata që i kanë dokumentet e rregullta, siç ndodhi te “Myslym Keta”, dhe ata që janë vendalinj shumë, shumë të vjetër, vetëm për faktin që jetojnë në pallate mbi 50-vjeçare sot ndihen të kërcënuar, nga bashkia sepse mund t’i vejë syrin nesër për të rrëzuar pallatin, për t`i prishur shtëpinë, për të bërë aty një kullë betoni dhe për t’i degdisur ata në një zonë tjetër në periferi të Tiranës. Kështu që vota në 14 maj është dhe për të mbrojtur shtëpitë tona, shtëpitë tuaja, pronat tuaja, sepse ju jap fjalën që pas 14 majit, as edhe një apartament, as edhe një pronë mbi apo nën 50-vjeçare nuk do t`i preket qytetarëve. Prona është e shenjtë”, tha Këlliçi.

 

I pranishëm në takim ishte dhe Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili kërkoi mbështetjen e qytetarëve për programin e Belind Këlliçit, i cili është në dobi të komunitetit.

 

“Këto janë pallate që kanë distanca urbane goxha të mira. Mund të organizohen oaze të gjelbra. Vetëm në këtë zonë të “Restorant Durrësit” mund të bëhen të paktën 5 të tilla. Projekti i kandidatit Belind Këlliçi është rehabilitimi i kësaj zone, kthimi i një zone të pëlqyer për qytetarët e Tiranës, siç ka qenë për 70 vite. Nuk duhet që qytetarët e Tiranës të ikin. I kemi të gjitha këtu, Belind Këlliçi mund ta bëjë qytetin më të banueshëm, mund të rrisë vlerën e pronës, mund të përmirësojë situatën me ashensor, me termoizolime e me radhë”, u shpreh Malltezi.