Haki Bajrami, i dyshuari për djegien dhe dhunimin e ish-vjehrrës së tij në Llakatund është dorëzuar sot në polici.

 

 

 

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në këtë fshat. Ish dhëndri nga Kosova ishte shpallur në kërkim nga policia e Vlorës.

 

Kujtojmë se më herët u arrestuan Gëzim Bacaj dhe Durim Kelmendi. Bacaj së bashku me Haki Bajramin tentuan të vrisnin të moshuarën dhe nipin e saj të mitur duke i dhunuar fizikisht dhe duke i lënë pa ndjenja në banesën e tyre. Më pas i vunë zjarrin qëllimisht banesës së tyre.

 

NJOFTIMI:

 

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi i shtetasit H. B., 51 vjeç, banues në Kosovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.

 

Shtetasi H. B. dyshohet se më datë 29.04.2023, në bashkëpunim me shtetasin G. B. (i arrestuar më parë), kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar L. F. dhe nipin e saj të mitur (ish-vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit H. B.), duke i dhunuar ata dhe duke i vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas.

 

Materialet do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.