Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u takua me banorë të Petrelës, Farkës dhe Baldushkut, ku paraqiti në mënyrë të detajuar programin për fshatin, me synimin që pushteti lokal të jetë më pranë komunitetit me shërbime dhe investime.
Këlliçi premtoi fillimisht që drejtuesit e njësive administrative të zgjidhen nga vetë qytetarët.
“Se çfarë është mirë për ju këtu në zonën e Petrelës dhe të Bërzhitës e dini ju. Unë kam për detyrë, e para të rikthej kompetencat e plota të drejtuesve të njësive administrative, për shkak të një dështimi total dhe të plotë të reformës territoriale të vitit 2014, që ka larguar qytetarin nga shërbimet. Ju sot për të shkuar te dera e njësisë administrative, ish-Komunës, nuk mbyllni asnjë hall, nuk mbaroni asnjë punë sepse janë kukulla ata që rrinë. Kështu që unë ju jap fjalën, që pas 14 majit, drejtuesit tuaj do t’i zgjidhni ju. E keni ju në dorë dhe ata do jenë njerëzit tuaj dhe do ju mbarojnë ju punë”, tha Këlliçi.
Më tej, si një kërkesë e ardhur nga banorët, Këlliçi premtoi lehtësim të procedurave për riparimin e banesave, si dhe emërimin e një nënkryetari në bashkinë e Tiranës, dedikuar vetëm fshatit.
“Gjëja e parë që unë do të bëjë do të jetë të lehtësojë procedurat për riparimin e shtëpive tuaja, sepse është gjëja minimale që i takon fshatit në Tiranë dhe banorëve të komunave të Tiranës. Minimale, vetëm do njoftoni bashkinë. Me Belind Këlliçin kryetar, fshatrat e Tiranës do të përfaqësohen me një nënkryetar në bashkinë e Tiranës. Që do dedikohet vetëm për punët, investimet dhe rritjen e potencialit ekonomik të fshatit të Tiranës. Është e pafalshme që fshatrat e Tiranës janë sot në gjendje të mjerueshme”, theksoi Këlliçi.
Në Petrelë, Baldushk dhe Farkë, Belind Këlliçi përsëriti premtimin e tij për subvencione të fermerëve, duke theksuar gjithashtu dhe ndërtimin e 15 tregjeve.
Nga Petrela, Belind Këlliçi bëri dhe një tjetër premtim për fshatin, heqjen e taksës së ndërtimit për shtëpitë e para, ndërsa u angazhua që pas 14 majit të shtojë investimet në infrastrukturë për zonat rurale.
“Infrastruktura rrugore, nëpër ish-komuna, padiskutim që do të ketë përmirësim, do të investojmë në asfaltim dhe do të jetë çështje kryesore e programit tonë pas 14 majit në konsultim të plotë me drejtuesit tuaj që do t’i zgjidhni ju vetë. Do të decentralizojmë shërbimet. Do të kemi shërbime padiskutim në periferi”, tha Këlliçi.
Këlliçi premtoi se, pas 14 majit do të bëjë gjithçka dhe autobusi pa pagesë do të jetë realitet.
Në këto zona, Belind Këlliçi prezantoi edhe 5 prioritetet kryesore të programit të tij.
Këlliçi i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës, që në 14 maj të dalin masivisht për të votuar, për të sjellë ndryshimin.