Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet në shkallë vendi në të gjithë komponentët e zinxhirit ushqimor, nga ferma në tavolinë, për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.
AKU në raportimin periodik, informon se gjatë javës, 1 deri 7 maj 2023, ka kryer 1 781 inspektime, nga të cilat 563 janë kontrolle zyrtare të kryera në terren në subjektet e ndryshme dhe 1218 kontrolle të kryera në Pikat e Inspektimit Kufitar, (në importet ushqimore).
Për shkeljet e konstatuara, AKU ka dhënë 1 masë për ndërprerje të aktivitetit, 3 masa administrative gjobë me vlerë 360 mijë lekë, si dhe 65 paralajmërime për respektimin e ligjit për sigurinë ushqimore, në qarqet Korçë, Tiranë, Berat, Fier.
Gjithashtu AKU, ka bllokuar 500 mijë copë fara perimesh dhe ka asgjësuar 154 kg produkte që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum.
Gjatë kësaj jave, inspektorët e AKU-së, kanë marrë 125 mostra dhe kanë kryer 220 analiza ushqimore.
AKU i bëri apel subjekteve të respektojnë standardet dhe rregullat e sigurisë ushqimore, teksa njofton se, do të vijojë intensifikimin e kontrolleve, që përkon edhe me sezonin veror.