Ish drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato është paraqitur sërish këtë të premte në GJKKO pasi pritet të zhvillohet seanca paraprake e gjykimit.

Qato dyshohet se ka ndikuar në prishjen e barazisë në tendera në lidhje me aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, ndërsa vetëm pak javë më parë 10 persona u morën nën hetim nga SPAK, mes tyre ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

 

Nën akuzë nga SPAK është vendosur dhe motra e drejtoreshës së IKMT, Dallëndyshe Bicit, Elona Goga, kjo e fundit ka qenë drejtoreshë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

 

Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale “shpërdorimit të detyrës”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 mln euro.

 

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet. Të pandehur janë Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari dhe Almir Hoxhaj. Ndërkohë nën hetim janë edhe Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Admir Pahumi.