Rreth orëve të vona të mbrëmjes së djeshme një incident ka ndodhur në Berat.
Protagonistë kanë qenë kandidati për kryebashkiak i koalicioni Bashkë fitojmë, Zija Ismaili, si dhe dy deputetë të Partisë Demokratike, Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj.
Banorët e fshatit Velabisht, pasi kanë evidentuar një mjet që po hidhte shtresën e bitumit për të përgatitur terrenin për hedhje asfalti, kanë lajmëruar kandidatin e Berishës për kryetar bashkie dhe stafin e tij. Në momentin qe kandidati dhe simpatizantët kanë mbërritur në Velabisht, kanë bërë bllokimin e mjetit që po hidhte e shtresën e bitumit ndërsa kanë lajmëruar dhe organet kompetente.
Ndërkaq, Ismaili ka vënë në dukje faktin se në aksin ku po punohej nuk ka pasur asnjë tabelë informuese për punimet.
Ai ka ndarë një njoftim për ngjarjen, ku ka sqaruar se është dashur edhe ndërhyrja e policisë. Nga ana e Bashkisë së Beratit mëngjesin e sotëm është shpërndarë për mediat një deklaratë ku theksohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë përsipër investimin e këtij segmenti rrugor, ndërsa bën me dije që aktualisht janë 4 projekte që po implementohen, dhe një ndër to është edhe rruga Velabisht-Veterrik.