SPAK zbardhi të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili u arrestua sot, (21 tetor 2024) ndërsa ndaj bashkëshortes Monika Kryemadhi është caktuar masa detyrim paraqitjeje.

Nga afera CEZ-DIA, te lobimi në SHBA e fshehja e të ardhurave, SPAK sqaroi akuzat që rëndojnë mbi Metën, Monika Kryemadhin dhe personat e tjerë të akuzuar, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku pak orë pas arrestimit. 

Kërkesën në GJKKO për burgosje të Metës e detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin SPAK e ka bazuar në 6 episode, për të cilat thotë se ka të vërteuar me prova akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë për çiftin Meta-Kryemadhi. Shqiptarja.com sjell 6 episodet e akuzës së SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Romeo Kara kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda,  procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.

Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve Halit Valteri dhe Idajet Beqiri, Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.

Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. Kastriot Ismailaj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve,  duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal./Shqiptarja