Ish-kryeministri Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar të votimeve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se qytetarët kanë votuan në Qendrat e Votimit në kushtet më të jashtëzakonshme.
Ai vlerësoi qëndrimin e komisionerëve të djathtë dhe u bëri thirrje numëruesve që po me atë përgjegjësi dhe guxim të vazhdojnë procesin tjetër, atë të numërimit.
Ndër të tjera, Berisha i garanton qytetarëve se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë.
Sipas tij, këto zgjedhje janë një betejë e një rëndësie historike , e cila do të fitohet vetëm nga ata të cilët mbrojnë kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ata (qytetarët) votuan në Qendrat e Votimit në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, folën në mënyrën më të civilizuar, folën me guxim, folën me vendosmëri. Ata kapërcyen mbi konglomeratin e administratës mafioze, oligarkëve të shpifur dhe bandave të tyre kriminale.
Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje ndër më të denjat për qytetarët në të katër anët e vendit. Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme të të gjithë atyre të të rejave të rinjve, burrave e grave që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit.
U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat në kushte paqeje, kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat. Ju bëj thirrje me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafies shtetërore, të bandave të kësaj mafie e oligarkëve të saj, po me atë përgjegjësi e guxim të numërojnë çdo votë. Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë. Se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do e fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.