Një 52-vjeçar ra në prangat e policisë të martën, pasi u kap në flagrancë duke i marrë me anë të mashtrimit, 70 000 euro, një biznesmeni.

 

Ndërkaq Shqiptarja.com raporton sot, se 52-vjeçari Shpëtim Hida ka deklaruar se i ishin premtuar 2 mijë euro në këmbim të marrjes së një plaçke, pra të parave, nga një person që sipas tij nuk e dinte kush ishte.

 

Policia akoma nuk ka identifikuar personin që fshihet pas mashtrimit, por është e njëjta skemë e përdorur në 4 operacionet e para, të finalizuara në janari deri në maj.

 

Mësohet se këtë herë, për mashtrimin u përdorur aplikacioni “Signal”, përmes së cilit fshihej një numër me prefiks anglez, por në emër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

 

Biseda mes “Erion Veliajt” dhe biznesmenit të ndërtimit A.E., i cili është edhe arkitekt, nga ku mori emrin edhe operacioni, nisi normalisht me përshëndetje, por pasi shkëmbyen disa mesazhe, biznesmenit iu kërkua shuma prej 70 mijë euro. Në këtë moment biznesmeni A.E. arriti të nuhaste mashtrimin dhe njoftoi menjëherë policinë.

 

Autoritetet ndoqën rastin duke filluar që nga përgjimi, deri tek dorëzimi i simuluar i parave, vend ku edhe u prangos Shpëtim Hida.

 

52-vjeçari ishte vetëm personi që do të merrte paratë nga biznesmeni A.E., por truri i këtij mashtrimi është dikush tjetër.

 

Gjithnjë sipas Shqiptarja.com, dyshimet e hetuesve janë që pas kësaj skeme të fshihet Florian Gjergji, i përfshirë në 3 operacionet e shkuara të mashtrimit të biznesmenëve, por akoma nuk ka prova të mjaftueshme për të.

 

Ai është shpallur në kërkim që në muajin janar në operacionin “Subjekti” dhe më pas është vërtetuar si koka kryesore e mashtrimit edhe në operacionet “Tentativa” dhe “Telegram”.

 

Katër biznesmenë denoncuan nga janari i këtij viti deri në maj një grup mashtruesish që përdornin emra zyrtarësh dhe personazh publikë duke kërkuar shuma të mëdha monetare.

 

Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.