Qindra bizhuteri që dikur ishin në pronësi të miliarderes së ndjerë austriake, Heidi Horten, u shitën për 201 milionë dollarë, duke u bërë kështu koleksioni më i shtrenjtë i bizhuterive private që është shfaqur ndonjëherë në ankand.

Shitja theu rekordin e vendosur mbi një dekadë më parë nga koleksioni i Elizabeth Taylor, gurët e çmuar të së cilës grumbulluan afro 116 milionë dollarë në ankandin në New York në vitin 2011.

Megjithatë, shitja e koleksionit u shoqërua me kritika të shumta nga hebrenjtë në lidhje me burimin e pasurisë së Horten. Koleksionistja e ndjerë e arteve, për të cilën Forbes raporton se kishte një pasuri neto prej rreth 3 miliardë dollarë kur vdiq në qershor të vitit të kaluar, trashëgoi 1 miliard dollarë nga burri i saj i parë, Helmut Horten, pas vdekjes së tij në 1987.

 

Sipas të dhënave, biznesmeni gjerman bleu biznese duke përfituar nga hebrenjtë që ishin në rrezik nën rregjimin nazist.

 

Komiteti Hebre në SHBA bëri thirrje që ankandi të pezullohej derisa të bëhej "një përpjekje serioze" për të hetuar burimin e pasurisë. Në një deklaratë të publikuar në fillim të këtij muaji, grupi e përshkroi Helmut Horten si një nga "biznesmenët e paskrupullt" që "përfituan nga nevojat e dëshpëruara të hebrenjve që arratiseshin nga nazistët.”