Këshilli i Ministrave miratoi së fundmi një fond prej 45 milionë lekësh për zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike në turizëm.

 

Fondet e akorduara i kalojnë ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga programi “tregu i punës” i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

 

“Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në buxhetin e vitit 2023, në programin “tregu i punës”, i pakësohet fondi prej 45 milionë lekësh. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e vitit 2023, në programin “zhvillimi i turizmit”, i shtohet fondi prej 45 milionë lekësh për zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike në turizëm”, thuhet në vendim.

 

Gjatë tremujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.070.564. Ky numër është rritur me 59.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

 

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre, jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

 

Janë 1.9 milionë më shumë se viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.

 

Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84 % më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se, të ardhurat vjetore nga turistët e huaj në vitin 2022 arritën 2.84 miliardë euro, ose 36 % më shumë sesa në vitin 2019.

 

Ndërkohë, autoritetet në vend janë optimiste për një sezon të mbarë turistik edhe përgjatë këtij viti, teksa kanë deklaruar se deri tani janë rezervuar mbi 85 % e kapaciteteve turistike në vend.