Babai i autorit 15-vjeçar që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij pas një konflikti në Gramsh, ka folur i tronditur për ngjarjen e ndodhur.
Në një intervistë për reporttv, babai i autorit Servet Karaj tregon duke thënë se nuk kishte asnjë dijeni për debatin. Për djalin që ndërroi jetë, Fatjon Bicin e cilëson si djalin e tij ndaj kërkon ndjesë për familjen e viktimës.
Gjatë intervistës, ai thotë se është i gatshëm që të shkojë e të bisedojë me familjen e të ndjerit, nëse ata e pranojnë.
“I kërkoi falje jashtë mase. Edhe unë e quaj djalin tim se njëlloj janë. Jam gati që të shkoj që sot te familja e tyre nëse pranojnë”, tha Karaj.
Për dëshminë e të birit, thotë se mban mend shumë pak gjëra pasi është i rënduar emocionalisht.
“Kishte shkruar u zumë, më gjuajti grushta barkut, nxora thikën, i gjuajta njërit dhe ika”, tha Karaj.
Karaj kërkon që drejtësia të bëjë detyrën e vet. Si një prind që përjeton trishtimin njësoj si familja e Fatjon Bicit, Karaj thotë se “mjerë ai që iku se ky do rrijë e do dalë (nga burgu), por ai s’del më atje ku iku. Mjerë familja e shkretë dhe ne që na zuri…”
Në një përshkrim të shkurtër për të birin shprehet se nuk e dinte që mbante thikë me vete, e quan djalë të rregullt dhe jo problematik.
“Djali ka qenë shumë i qetë, nuk merrej me gjëra të tilla. Atë ditë nuk ka shkuar në shkollë se kishte probleme shëndetësore. Unë isha vetë në Gramsh e 10 minuta pasi jam kthyer më kanë marrë në telefon. Jam habitur. Sjellja e djalit ka qenë normale, nuk të linte përshtypje. Nuk di si të them, nu ki kam parë asgjë me vete. Në polici na thirrën për deklaratën.
Nuk i kam parë asgjë as në cantë, as në xhep. Djali nuk ka pasur raste të tilla, nuk kam dëgjuar asnjëherë debat. Nuk kishim asnjë informacion se po të kisha sikur 2% të dija nuk do të kishte arritur deri këtu. Shkonte në shkollë zakonisht, ishte nxënës mesatar, i rregullt, të shtuna të diela punonte, nuk ishte problematik”, tha Karaj