Përfshirja e Kosovës në programin “Tregu i Përbashkët” është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në konferencë për medie të enjten, ministrja Hajdari tha se përmes këtij program në vlerë 4.2 miliardë euro bizneset e vogla dhe të mesme të Kosovës do të përfitojnë nga mbështetja e BE-së, por mund të ndërveprojnë edhe me bizneset e shteteve anëtare të BE-së, por edhe atyre që janë në fazë të para anëtarësimit.
Ajo tha se ky program ka qenë i hapur për bizneset për të aplikuar që nga viti 2021 dhe do të jetë i qasshëm deri në vitin 2027.
Ministrja Hajdari tha se programi do të fokusohet në pesë shtylla dhe veçanërisht në forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe mesme.
“Kosova do të jetë përfituese e programit të Bashkimit Evropian, “Tregu i Përbashkët” në vlerë 4.2 miliardë euro, duke u bërë një prej vendeve të para që bëhet pjesë e kësaj skeme. Është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që ofron Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrushmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve të mikro të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë sigurinë e ushqimit, të statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, tha ajo.
Krahas kësaj, ministrja Hajdari tha se gjatë mandatit të saj dy vjeçar në krye të këtij institucioni ka mbi 2000 biznese me pronar të huaj. Ajo shtoi se vetëm në vitin 2022 investimet e huaja janë 772 milionë euro.
Na anën tjetër, ministrja Hajdari tha se Qeveria e Kosovës po punon për t’i siguruar investitorët e huaj të qëndrojnë në Kosovë, derisa përmendi rastin edhe shpalljen investitor strategjik të investitorit “Kosmonte Foods”.
Në kuadër të programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”, Kosova, do ta paguajë një kontribut të pjesëmarrjes i cili varion nga zhvillimi ekonomik e që është në përputhje me bruto produktin vendor – shifra e kontributit për vitin 2023 është 64 mijë e 990 euro./KosovaPress/