Dy persona janë lënduar mbrëmë pas shpërthimit të një granate dore në afërsi të një kafeneje në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 11:45 të mbrëmjes, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

“Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor. Rasti është në procedurë hetimore”, njofton Policia.

Sipas mediave lokale, në vendin e ngjarjes ndodhen ekipe të Misionit të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian - EULEX dhe ekipe të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Po ashtu, sipas Policisë, nga ky shpërthim janë dëmtuar edhe disa vetura, derisa ende nuk janë bërë të ditura motivet e këtij sulmi./aa