Tefta Malaj, nëna e 16-vjeçares së vrarë në Itali ka lënë spitalin pas traumës së shkaktuar nga bashkëshorti.

 

Malaj mbeti e plagosur nga bashkëshorti i saj Taulant Malaj, 45 vjeç, i cili në mesnatën e 6 majit goditi me thikë për vdekje vajzën e tyre dhe la të vdekur edhe fqinjin e shtëpisë Massimo De Santis, 51 vjeç.

 

Sipas mediave italiane, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për arsye xhelozie, pasi Taulanti mendonte se Tefta kishte një lidhje me De Santis. Pas masakrës, ai regjistroi një video ku u tregonte të gjithëve se çfarë kishte shkaktuar.

 

Menjëhere pas krimit makabër, Taulanti u arrestua nga policia ndërsa Tefta pas daljes nga spitali po përballet me të tjera problematika. Sipas avokatit të saj, ajo është duke u përballur me një gjuhë urrejtjeje në rrjete sociale.

 

“Ne po bëjmë gjithçka është e mundur” shpjegoi avokati “Jemi duke i gjetur një shtëpi të re Teftës, larg Torremaggiore, ku absolutisht nuk dëshiron të kthehet të jetojë. Ajo ndihet e persekutuar nga të gjithë ata që urrejnë që po e sulmojnë ashpër në rrjetet sociale. sikur të ishte faji i saj për atë që bëri Taulanti” tha avokati Michele Sodrio.

 

Gruaja ka kërkuar të largohet. Ajo do të ikë larg bashkë me djalin e vogël, i cili i shpëtoi mrekullisht ngjarjes. Avokatët shpjegojnë se Tefta ka nevojë për ndimë konkrete për veten dhe djalin 5-vjeçar.

 

Avokati i saj do t’i drejtohet edhe Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella për të ndërhyrë në kërkesën për nënshtetësi italiane që Tefta bëri disa muaj më parë.

 

“Tefta tani ka nevojë për ndihmë konkrete për veten dhe për djalin tjetër, vetëm pesë vjeç. I bëra apel Presidentit të Republikës sepse shpresojmë në ndërhyrjen e tij në kërkesën për nënshtetësinë italiane që Tefta, e cila ka jetuar në Itali prej 18 vitesh”, u shpreh avokati.