Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kuçovë, Lefter Maliqi, ka bërë kallëzim në SPAK për zgjedhjet e 14 Majit.

 

Në një deklaratë për media, Maliqi u shpreh se ka një sërë shkeljesh që sipas tij janë urdhëruar politikisht nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

 

Ai thekson se zgjedhjet e 14 majit janë vjedhur, pasi dyshohet se drejtorë të bashkisë kanë marrë pjesë në numërim. Sipas Maliqit, vjedhja ka ndodhur në 17 kutitë e fundit.

 

I bindur kandidati i “Bashkë Fitojmë” shprehet se ka fituar, por nëse del e kundërta tek kutitë që mund të hapen, Maliqi tha se do të tërhiqet përfundimisht nga politika.

 

“Ka një sërë shkeljesh të mëdha. Të gjitha këto shkelje janë të urdhëruara politikisht nga ministri Çuçi me Policinë e Shtetit dhe nga oligarku  Pëllumb Salillari. Vjedhja është e hapur. Kam bindje totale që Bashkia Kuçovë me tu hapur kutitë dhe po të ketë hetim pa ndikim politik, jam i bindur këtu ka krim shtetëror dhe elektoral. Krimi shtetëror është më i madh sepse janë hedhur miliona euro për të blerë mandatin e Bashkisë Kuçovë.

 

Në KZAZ-në e Kuçovës ishte një derë ngjitur, afër tavolinave e cila dilte nga Qendra e Kulturës dhe më pas te shkolla e mesme. U gjetën kuti pa kode, pa vula e shumë shkelje të tëra. Gjithë gjëma u bë në 17 kutitë e fundit dhe është bërë nga ora 11:30 në mënyrë të pabesë me urdhër politik. Gjëma është bërë në 17 kutitë e fundit ku unë kam dyshime të provuara që kanë ndërruar kuti, prandaj janë gjetur kuti pa vula, fletë votimi të dyshimta e të gjitha me radhë.

 

Unë kam vënë në dijeni ODIHR tre herë. Kam një besim të patundur që kjo do zbardhet dhe mandati i bashkisë është i fituar. Lefter Maliqi bashkë me qytetarët e majtë dhe të djathtë të Kuçovës ka fituar për herë të parë bashkinë e Kuçovës edhe kundër kandidatit të Alibeajt, edhe kundër kandidatit të PS-së. Për këtë kam bindje totale. Nëse kutitë hapet dhe nuk del ky rezultat, unë tërhiqem nga politika përfundimisht”, tha Maliqi.