Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye, në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, të dialogut dhe normalizimit”.

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Komisionerin Oliver Várhelyi, pas takimit të 12-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Rama shprehu fillimisht mirënjohjen për gjithë mbështetjen që ata kanë dhënë për Shqipërinë.

 

“Ky është një proces që ka qenë tejet i vështirë dhe në një periudhë kohë jo të shkurtër, shumë i padrejtë ndaj Shqipërisë për arsye të konjukturave politike që tanimë janë kapërcyer”, tha Rama.

 

Kryeministri vlerësoi se, “sot, me mbledhjen për herë të parë të këtij Këshilli jashtë Brukselit, ju na keni dëshmuar edhe njëherë tjetër respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e çelur, e drejtë dhe natyrisht jo pa vështirësitë e veta”.

 

“Më vjen shumë mirë që atmosfera e kësaj mbledhje ishte jashtëzakonisht pozitive. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënie strategjike”, tha Rama.