Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

 

 

Në seancën e sotme gjyqësore dëshmitari me kodin 4355 po vijon t’u përgjigjet pyetjeve të ZPS-së.

 

Dëshmitari i gjashtë i ZPS-së ka nisur dhënien e dëshmisë së tij nga pasditja e djeshme. Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë u dëgjua kryesisht në seancë të mbyllur për publikun si masë për mbrojtjen e këtij të fundit.

 

 

Ndërsa, po në seancën e djeshme gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e përfundoi edhe dëshmitari i pestë i ZPS-së.

 

Katër dëshmitarët e parë në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi dhanë dëshminë e tyre në seanca të mbyllura për publikun.

 

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

 

Gjatë kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.