Dhjetëra qytetarë dolën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, e cila njëherësh shënohet edhe si dita e përkujtimit të gjenocidit serb në Kosovë, raporton Anadolu.

Me moton “Ne nuk harrojmë”, nën organizimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur”, qytetarët vendosën qindra qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinës, një çerekshekull larg nga gjenocidi i luftës së fundit në Kosovë.

Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë edhe ngjitja e simboleve të gjenocidit serb, një lule me ngjyrat kuq dhe zi.

Për njërën ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës të viteve 1998-1999 që tronditi botën, e cila ndodhi më 15 janar 1999 në Reçak të Komunës së Shtimes, ende vetëm një person është shpallur fajtor për pjesëmarrje në kryerjen e saj nga gjykatësit e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

 

Nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe u masakruan në të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, gra dhe pleq.

Më 16 janar të vitit 1999 Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.

Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: "Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.

Jehonizimi i kësaj masakre, u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës.