Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se, “do të arrijmë të angazhojmë edhe mjekët jashtë vendit, për të punuar brenda vendit, pa pasur nevojë të vijnë të jetojnë këtu në këtë vend”.

 

“Qasja duhet të jetë krejt tjetër dhe jam i bindur që me qasjen tonë, gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur në aspektin e një balancimi, jo të ndalimit të kësaj gjëje. Këtë gjë s’e ka ndaluar askush. Veneto është rajoni më i pasur i Italisë dhe guvernatori i Venetos problemin më të madh ka largimin e mjekëve nga Veneto për në Gjermani e për në vendet e veriut”, theksoi Rama.

 

Kryeministri Rama tha se, “mjekët dhe infermierët janë problemi më i madh i Italisë fqinje sot, ndërkohë që ne, po ju them dhe këtë e tregojnë shifrat, kemi largime, por nuk kemi ende asnjë boshllëk. Asnjë! Me politikën që po bëjmë tani, plus dhe me politikën tjetër që është përtej kësaj të pagave nominale për të gjithë”.

 

“Me politikën e pagave të diferencuara me kontrata të përkohshme në bazë të aftësive, këtu do jemi dhe do ta shikojmë shpejt rezultatin dhe do shikojmë që, jo vetëm që largimet do t’i kemi tërësisht të balancuara, se largimet janë dhe për arsye studimesh, janë dhe për arsye që nuk lidhen vetëm me faktin që po shkoj të punoj atje, ndërkohë që nuk do kemi asnjë boshllëk. Përkundrazi”, tha Rama.