Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, ishin pjesë qendrore e takimit.
Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti falënderoi ministrin Dendias dhe shtetin e Greqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset integruese.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias ishte i dhjeti në dy vite. Muajin e kaluar, ministri grek Dendias kishte vizituar Kosovën. Ajo ishte vizita e tij e gjashtë zyrtare në Kosovë.