Një 27-vjeçar ka rënë në pranga, pasi akuzohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa është kapur duke shitur kokainë në një tabachino. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Arsen Mete.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjatë kontrolleve në biznesin privat (tabachino) të këtij shtetasi, si dhe në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Gjykata i kishte caktuar 27-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi më datë 19.01.2022 u kap nga Policia e Fierit teksa ushtronte në të njëjtin biznes privat (tabachino), veprimtarinë kriminale të shitjes në doza, të lëndës narkotike kokainë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.