Një incident i rëndë detar ndodhi mesnatën e kaluar, rreth 4 milje larg portit të Durrësit. Pas mbytjes së anijes së peshkimit “Elton 1”, e cila u godit nga një traget i linjës Durrës- Bari, 3 peshkatarët e saj u shpëtuan nga policia kufitare e Durrësit.

 

 

Në mes të detit dhe në errësirë ata përjetuan momente tmerri. Kapiteni i peshkarexhës së mbytur Selim Agasi ende i tronditur nga gjithçka përjetoi thotë se nuk e di kur do të kthehet sërish në det.

 

Një tjetër peshkatar i anijes së mbytur thotë se ndjehet me fat që nuk ishte në bord natën e kaluar. Peshkatarët dhe pronari i anijes ngrejnë pretendimin se trageti po lëvizte jashtë trajektores së vet dhe pas goditjes fillimisht nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë peshkatarëve në rrezik për jetën.

 

 

Brenda pak minutash peshkarexha është mbytur. Ekuipazhi i përbërë nga kapiteni dhe dy peshkatarë, njëri prej të cilëve egjiptian kanë përdorur një mjet të vogël shpëtimi që i ka mbajtur mbi ujë deri në ccastin kur ka mbërritur policia kufitare.

 

Nga hetimet e para rezulton se peshkarexha “Elton 1” u godit nga trageti “Marina” i linjës Durrës Bari. Trageti po lundronte drejt portit italian, ndërsa peshkarexha po kthehej në port pas gjuetisë.

 

Me 194 pasagjerë në bord trageti pezulloi lundrimin për 2 orë për të vijuar më pas drejt Barit.

 

Të dyja palët kanë pretendimet e tyre, por do të jenë hetimet që do të zbardhin incidentin e rëndë. Pas shpëtimit të jetëve në det të hapur, një tjetër problematikë që pritet të menaxhohet nga autoritetet është ndotja detare. Peshkarexha ka qenë e furnizuar plot me karburant para daljes për gjueti.