Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ka tentuar të vrasë me sëpatë fqinjin e tij, pas një sherri banal.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasin Erjon Shaqollari, 38 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, pas një konflikti ka dëmtuar me sëpatë fqinjin e tij, shtetasin K. H., 61 vjeç.

 

Si pasojë e plagëve të marra 61-vjeçari ndodhet në spitalin e Pogradecit duke marrë ndihmën mjekësore.

 

“Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale policore, policia arrestoi Erjon Shaqollari, 38 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (sëpatë), fqinjin e tij, shtetasin K. H., 61 vjeç, banues në Pogradec, i cili aktualisht merr ndihmë mjekësore, në spitalin e Pogradecit dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë i gjetën 38-vjeçarit, nga kontrolli fizik, një tjetër mjet prerës (thikë), i cili iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.