Të paktën 30 foshnja të sapolindura kanë humbur jetën tragjikisht në spitale që nga fillimi i luftimeve në Sudan, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

 

Duke folur në konferencën e tij të përditshme të enjten, Dujarric nënvizoi pasojat humanitare të luftimeve të vazhdueshme në vend, duke zbuluar të dhënat nga agjencitë e OKB-së.

 

"Gjashtë foshnja të sapolindura humbën jetën në një spital në qytetin Ed Daein në vetëm një javë kohët e fundit për shkak të problemeve, përfshirë mungesën e oksigjenit në mes të ndërprerjeve të energjisë elektrike. OBSH-ja raporton se më shumë se 30 të sapolindur kanë vdekur në spital që nga fillimi i luftimeve", tha ai.

 

OBSH-ja është në kontakt me ofruesit e kujdesit shëndetësor në rajon për të parë se çfarë mund të bëjë për të mbështetur, shtoi Dujarric. Mosmarrëveshjet ishin nxitur në muajt e fundit midis dy palëve mbi integrimin e RSF-së në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

 

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga vjeshta e vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një "grusht shteti".

 

Periudha kalimtare, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

 

Sipas mjekëve vendas, të paktën 863 civilë janë vrarë dhe 3.531 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit më 15 prill./AA