Është britaniku Maxi milian Stedman fituesi i edicionit të 80-të në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, aktivitet që uli dje siparin me etapën e fundit Përmet-Fier. Britaniku i skuadrës Velo Schils, mbajtës i fanellës së verdhë që në garën e parë, arriti që ta ruante kryesimin e përgjithshëm deri në fund duke u shpallur kampion.
Pas tij u renditën rumuni Cristian Raileanu i skuadrës ATS Steaua Bukuresht si dhe Periklis Ilias i kombëtares së Greqisë. Rezultatin më të mirë për Shqipërinë në këtë eveniment e shënoi Mikel Demiri, i cili u rendit në vend të katërt, 13 sekonda larg kreut.
ETAPA E FUNDIT – Pas ndërprerjes në mes të etapës së katërt Vlorë-Përmet për shkak të stuhisë dhe rrebeshit që solli edhe anulimin e garës, dje ishte radha për etapën e pestë dhe të fundit, atë Përmet-Fier, 123 km. Këtë herë gara u zhvillua në kohë me diell dhe me temperatura mesatare 25 gradë celsius. Në një terren kryesisht fushor, çiklistët dhanë maksimumin, duke bërë që të kishim një garë me rivalitet të lartë. Etapa shënoi disa shkëputje, por që në fund, pjesa më e madhe e grupit shkuan bashkë në finish, duke mos u regjistruar surpriza në rezultatin final të evenimentit.
Kështu fitues i etapës së pestë u shpall Polychronis Tzortzakis, i cili regjistroi kohën 2:42:55, duke mundur në sprintin final Samir Jabrayilov të Azerbajxhanit dhe Yunus Emre Yilmaz të Turqisë. Ndërsa 8 sekonda pas tyre në finish mbërriti grupi me rreth 40 çiklistë. Kështu me kohën totale 12:32:31, Maximilian Stedman shpallet kampion i Rrethit të 80-të Çiklistik të Shqipërisë. Rumuni Cristian Raileanu (+0:04) dhe greku Periklis Ilias (+0:08) plotësuan podiumin e kompeticionit.
Në fund u mbajt edhe ceremonia tradicionale e aktivitet, në të cilën u dhanë çmimet për të gjithë fituesit. Përveç britanikut Stedman, si fitues i fanellës së verdhë, greku Nikiforos Arvanitou u vlerësua me fanellën jeshile të pikëve. Fanella me pika e maloristit u fitua nga greku Periklis Ilias, ndërsa ajo e bardhë për të riun më të mirë shkoi për amerikanin Jonah Killy. Ndërkohë për sa i përket klasifikimit ekipor, në vend të parë u rendit Greqia me kohën e përgjithshme 37:38:12, ndjekur nga Turqia (+1:34) dhe Shqipëria (+6:03), që plotësuan podiumin.
Kështu Rrethi Çiklistik i Shqipërisë ul siparin e një edicioni jubilar, atij të 80-të. Një aktivitet me pjesëmarrjen e 14 skuadrave, nga të cilat 11 ishin ndërkombëtare, ndërsa distanca e përgjithshme e turit ishte 754 km. Për të pestin vit radhazi ky aktivitet ishte pjesë e Kalendarit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).