Kukësi dhe Egnatia janë dy ekipet finaliste të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2023-2024. Të dyja ekipet do të përballen së bashku në finalen e madhe të 14 majit në stadiumin “Air Albania”.
Tirana fitoi sfidën e kthimit ndaj Kukësit me rezultatin 1-0. Goli i shënuar nga Ardit Deliu në pjesën e parë, ka qenë përcaktues për fatin e ndeshjes. Megjithatë verilindorët ia dolën mbanë të siguronin finalen pas triumfit në takimin e parë 2-0. Kjo do të jetë finalja e pestë në histori për Kukësin që e ka fituar dy herë trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia fitoi 1-0 ndeshjen e kthimit ndaj Egnatias dhe sfida shkoi në shtesë, pasi rrogozhinasit kishin triumfuar në takimin e parë me të njëjtin rezultat.
Në pjesën e parë të kohës shtesë, Egnatia barazoi rezultatin me Montenegron dhe deri në fund nuk ndryshoi asgjë. Rrogozhinasit siguruan finalen e dytë në histori, pas asaj të sezonin 2022-2023 ku fituan edhe për herë të parë trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Finalja e Kupës së Shqipërisë 2023-2024 mes Kukësit dhe Egnatias do të luhet më datën 14 maj, në ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”./ata