Përfaqësues të komunës së Zveçanit, nën asistenten e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, kanë hequr flamurin e Serbisë nga objekti i Komunës së Zveçanit, si dhe kanë vendosur flamurin e Kosovës.

 

Flamuri i Kosovës është vendosur dje në objektin e Komunës së Leposaviçit dhe Zubim Potok. Kurse, në Mitrovicën e Veriut, flamuri është vendosur ditë më parë, ditën kur edhe është betuar kryetari i ri i kësaj komune.

 

Një ditë më parë, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, që të hynin në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Megjithatë, strukturat ilegale, lëshuan alarmin si ftesë për mbledhjen e qytetarëve para objekteve të komunave.

 

Protestuesit serb, tentuan të hyjnë në objektin e Komunës në Zveçan, ku edhe u dëgjuan të shtënat me armë dhe gjuajtje me gurë në drejtim të policisë. Zyrtarët policorë u detyruan të ndërhyjnë me gaz-lotsjellës dhe shok-bomba. Aty janë lënduar disa policë, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete të policisë.

 

Shtetet perëndimore dënuan veprimet e Kosovës dhe thanë se hyrja e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, ishte “hyrje me forcë”. Sot situata në katër komunat e veriut të vendit është me e qetë.