Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi u shpreh sot se ky qark ka një potencial të madh ekonomik që mund të zhvillohet shumë më tepër se sa deri më tani.

 

Në turin e mirënjohjes për rezultatin zgjedhor në Vlorë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Klosi u shpreh se “sot është festa e fitores por është edhe dita e parë për punën që duhet bërë për të fituar zgjedhjet e vitit 2025”.

 

“Ky është misioni ynë, të fitojmë. Duhet të analizojmë punën që kemi bërë dhe të kuptojmë se kemi shumë nevojë të punojmë për të arritur fitore në 2025. Ne duhet të jemi aty ku zhvillohet qyteti, por edhe aty ku ka nevojë për më shumë ndërhyrje, në zonat rurale”, tha ai.

 

Po ashtu, Klosi u shpreh se kryeministri meriton një falënderim të madh nga të gjithë për të gjitha ato që ka bërë për PS-në.

 

“Falënderim për mënyrën se si e ka reformuar PS-në, si e ka drejtuar. Për mënyrën se si PS sot fiton çdo betejë nën drejtimin e tij”, tha Klosi.

 

Ai falënderoi kryeministrin për të gjitha ato që ka bërë në qarkun e Vlorës, një qark i cili është transformuar.

 

“Prandaj të 6 djemtë e rinj që drejtojnë sot të 6 bashkitë e qarkut të Vlorës janë në këtë detyrë për të ndjekur vizionin, porositë, mendimin dhe projektet e Edi Ramës. Ai na ka mësuar që kur ishim në opozitë se duhet shumë punë dhe ne duhet të punojmë shumë”, shtoi ai.