Mediat italiane i kanë kushtuar një artikull një 22-vjeçareje shqiptare të zhdukur në Spanjë. Bëhet fjalë për Sibora Gaganin, të renë me origjinë shqiptare, që fillimish jetonte në Itali, por ishte larguar drejt Spanjës me të dashurin e saj, italianin Marco Gaio Romeo.
Sibora u zhduk në Korrik të 2014-s, pa lënë gjurmë e pa marrë asgjë nga shtëpia ku jetonte me partnerin e saj, në Torremolinos, në provincën spanjolle Malaga.
Tashmë një ngjarje tjetër, raportojnë mediat italiane, mund të jetë një pikë kthese për rastin e vajzës shqiptare.
I dashuri i Siborës, një 45-vjeçar italian, është arrestuar pak ditë më parë, dhe akuzohet se ka goditur me thikë partneren e tij Paula, 28 vjeç, më 17 maj në të njëjtin qytet Malagueña.
Fotoja e tij, e qarkulluar gjatë arrestimit do të njihej nga të afërmit si ajo e të dashurit të Siborës. Gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, burri fillimisht pranoi se kishte vrarë edhe vajzën shqiptare, por më pas nuk deshi të firmoste deklaratën e tij. Megjithatë kaq ka mjaftuar që dosja e 22-vjeçares shqiptare të rihapet.
Sipas burimeve investigative për shtypin spanjoll dhe të konfirmuar më pas në një konferencë për shtyp në Granada nga Pedro Fernandez, delegat i qeverisë në Andaluzi, 45-vjeçari, pasi kishte parë një foto të Siborës në komisariat, do të kishte pranuar se e kishte vrarë atë dhe se e ka fshehur trupin e saj në muret e shtëpisë ku dikur jetonin së bashku.
Policia ka kontrolluar banesën, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të gruas dhe tani po heton mundësinë që burri të ketë tretur trupin e saj në acid.
Fernandez shpjegoi se burri rrëfeu se kishte vrarë Sibora Gaganin spontanisht, ndërsa deklaratën e ka dhënë pa praninë e avokatit të tij apo autoritetit gjyqësor.
Më vonë ai u tërhoq, pa i konfirmuar deklaratat para gjykatësit apo edhe policisë.